Anemia

ANEMIA, ÇFARË DUHET TË DINI?

Mungesa e konsumimit të hekurit është shkaktari më i madh i anemisë. Burimi i mirë i hekurit janë: mëlçia, mishi i viçit, buka me miell të pasitur, drithëra, vezë dhe fruta të thara. Anemia është po thuajse e zakonshme në shtatzëni, kjo për shkak se nënat shtatzëna kanë nevojë për gjak shtesë për të rritur foshnjën.

NJOHURI BAZIKE

Anemia është një sëmundje e cila shkaktohet kur nuk keni numër të mjaftueshëm të qelizave të kuqe (eritrociteve) në gjak. Kjo shkaktohet edhe kur ju keni numër të mjaftueshëm të qelizave të kuqe, por atyre u mungon hemoglobina, një substancë e cila është përgjegjëse për transportimin e oksigjenit nëpër organe.

Ka disa lloje të anemive, dhe secila ka shkaktarin dhe mënyrën e vet të mjekimit. Anemitë mund të jenë të përkohshme ose afatgjata dhe mund të jenë nga të lehta deri të anemi të rënda.

Anemia më së shumti shkaktohet për shkak të mungesës së hekurit, i cili është përbërës kyç i hemoglobinës. Kjo është edhe arsyeja se pse anemia trajtohet pikërisht me ilaçe të cilat përmbajnë hekur. Anemia mund të shkaktohet edhe për shkak të humbjes së gjakut, mungesës së acidit folik ose vitaminës B12, sëmundjes me qeliza në formë drapri, dhe një sëmundje gjenetike të quajtur talasemia.

Disa forma të anemisë, si për shembull ajo gjatë shtatzënisë, konsiderohen si gjendje normale të organizimit.

Megjithatë disa lloje të anemisë mund të shkaktojnë edhe probleme të tjera shëndetësore, andaj është mirë të vizitoni mjekun nëse dyshoni se keni anemi. Mjekimi i anemisë ndryshon që nga përdorimi i barnave të lehta deri te ndërhyrjet me procedura më të komplikuara mjekësore. Ju mund t’i parandaloni disa lloje të anemisë duke u ushqyer në mënyrë të shëndetshme dhe duke konsumuar ushqime të llojllojshme.

Roli i qelizave të kuqe të gjakut

Zemra, me anë të rolit të saj pompues, shpërndan gjakut gjithkund nëpër trup përmes artereve. Por, janë qelizat e kuqe të gjakut ato të cilat e bartin oksigjenin nga mushkëritë dhe e çojnë atë se çdo qelizë të organizmit. Qelizat e shfrytëzojnë oksigjenin si mjet për djegie për të zbërthyer sheqerin dhe yndyrat të cilat prodhojnë energji për organizmin. Gjatë këtij procesi lirohet dyoksidi i karbonit, i cili po përmes qelizave të kuqe të gjakut arrin në mushkëri dhe nxirret jashtë.

Me një fjalë qelizat e kuqe të gjakut përcjellin oksigjenin (e marrë prej ajrit nga mushkëritë) kudo ku ka nevojë në organizëm dhe e largojnë dyoksidin e karbonit nga organizmi. Si rrjedhojë ato janë vitale për funksionimin normal të organizmit.

Qelizat e kuqe të gjakut përmbajnë hemoglobinë, një proteinë e kuqe e cila është e pasur me hekur dhe e cila ia jep ngjyrën e kuqe gjakut. Është pikërisht hemoglobina ajo që u ndihmon qelizave të kuqe të gjakut ta bartin oksigjenin nga mushkëritë nëpër çdo qelizë të organizmit, dhe dyoksidin e karbonit në kahe të kundërt.

Qelizat e kuqe të gjakut, si edhe shumica e qelizave të tjera të gjakut, prodhohen rregullisht në palcën kockore – që është një material sfungjeror që gjendet në brendësi të shumë kockave të mëdha të organizmit. Për të prodhuar hemoglobinën dhe qelizat e kuqe, trupi juaj ka nevojë për hekur, vitaminën B12, acidin folik si dhe përbërës të tjerë të cilat gjendet në ushqimin që hani.

SIMPTOMAT

Shenjat dhe simptomat e anemisë dallojnë në varësi të shkaktarit të këtij problemi. Në to përfshihen:

• lodhja

• lëkura e zbehtë

• rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës

• frymëmarrje të shkurtuara

• dhimbje në gjoks

• marramendje

• probleme konjitive (njohëse ndaj gjësendeve, të mbajtur mend)

• duar dhe këmbë të ftohta

• kokëdhembje.

Anemia fillimisht mund të jetë e lehtë dhe e pavërejtur. Por këto simptoma zakonisht rriten paralel me përkeqësimin e anemisë.

Kur duhet ta vizitoni mjekun?

Nëse ndjehemi të lodhur për arsye të pashpjegueshme, caktoni një vizitë te mjeku. Disa anemi, si ajo për shkak të mungesës së hekurit, janë të shpeshta. Lodhja vjen si pasojë e shumë problemeve tjera dhe jo vetëm anemisë, andaj mos supozoni se nëse jeni të lodhur, ju duhet të jeni anemik.

Disa njerëz kuptojnë se hemoglobina e tyre është e ulët kur shkojnë të dhurojnë gjak. Niveli i ulët i hemoglobinës mund të jetë problem i përkohshëm i cili largohet pasi ju hani ushqime të pasura me hekur ose merrni multivitamina që përmbajnë hekur. Megjithatë, kjo mund të jetë edhe një shenjë paralajmëruese për humbjen e gjakut në trupin tuaj, që mund të bëjë që hekuri të jetë në mungesë.

Andaj, për të kuptuar njëkohësisht gjendjen tuaj të gjakut, ju mund të drejtoheni në institucionet përkatëse për të dhuruar gjak. Nëse organizmi juaj prodhon gjak në sasi të mjaftueshme dhe në mënyrë të rregullt, ju nuk do të keni kurrfarë pasojash të dhuroni gjak. Por, nëse ju thonë se nuk mund të dhuroni gjak, mjekët dhe kujdestarët tjerë shëndetësorë do t’ua thonë edhe arsyen.

SHKAKTARËT

Çfarë e shkakton aneminë?

Ka me qindra lloje të anemisë, të cilat kryesisht ndahen në tre grupe:

• Anemia si pasojë e humbjes së gjakut

• Anemia e shkaktuar për shkak të prodhimit të pamjaftueshëm ose të parregullt të qelizave të kuqe të gjakut

• Anemia e shkaktuar nga shkatërrimi i qelizave të kuqe të gjakut

Anemia si pasojë e humbjes së gjakut

Qelizat e kuqe të gjakut mund të humben përmes gjakderdhjes, që mund të ndodhë ngadalë gjatë një periudhe të gjatë dhe mund të kalojë e pavërejtur. Kjo lloj gjakderdhje kronike (e vazhdueshme) zakonisht vjen si pasojë e:

• sëmundjeve gastrointestinale si ulcera, hemorroidet, gastriti dhe kanceri

• përdorimi i barnave antiinflamatore, si aspirina ose ibuprofeni

• gjakderdhjet menstruale ose të lindjes te femrat, veçanërisht nëse gjakderdhjet menstruale janë të zgjatura dhe nëse ka shtatzëni të shumëfishtë.

Anemia e shkaktuar nga mosprodhimi i duhur i qelizave të kuqe

Trupi mund të prodhojë vetëm pak qeliza të gjakut ose qelizat e gjakut të prodhuara të mos funsksonojnë në mënyrë korrekte. Në të dyja rastet mund të paraqitet anemia. Qelizat e kuqe të gjakut mund të jenë me të meta (jo të pjekura) ose të pakta për shkak të pranisë së qelizave të kuqe anormale ose mungesës së mineraleve dhe vitaminave të nevojshme që qelizat e kuqe të gjakut të punojnë në mënyrë të rregullt. Në këto raste kemi këto lloj të anemive:

• anemia për shkak të qelizave në formë drapri

• anemia për shkak të mungesës së hekurt

• anemia për shkak të mungesës së vitaminave

• anemia si pasojë e problemeve me palcën e kockave dhe qelizën amë (qeliza prej të cilës krijohen të gjitha qelizat tjera)

• probleme të tjera shëndetësore.

Anemia hemolitike

Kjo lloj anemia zhvillohet kur qelizat e kuqe shkatërrohen më shpejt se sa palca kockore i krijon ato. Janë disa sëmundje të caktuara të cilat mund të shkaktojnë një shkatërrim të rritur të qelizave të kuqe. Anemia hemolitike mund ët jetë e trashëguar ose mund të fitohet gjatë jetës.

Anemia me qeliza në formë drapri

Kjo është një sëmundje e trashëguar dhe shpesh serioze, e shkaktuar nga forma të parregullta të hemoglobinës të cilat detyrojnë qelizat e kuqe të gjakut të marrin një formë gjysmë-hënore (drapri). Këto forma të parregullta të qelizave të kuqe vdesin para kohe, duke rezultuar në zvogëlim të qelizave të kuqe të gjakut.

Anemitë tjera

Ka edhe forma të tjera më të rralla të anemisë, si talasemia dhe anemia e shkaktuar nga hemoglobina defektive.

MUNGESA E HEKURIT

Anemia për shkak të mungesës së hekurit

Kjo lloj anemie zhvillohet për shkak të mungesës së hekurit në organizëm, i cili është pjesë përbërëse e hemoglobinës, substancës e cila lidh dhe bart oksigjenin.

Qelizat e kuqe të gjakut krijohen në palcën e kockave dhe qarkullojnë në gjak. Ata kanë një jetëgjatësi prej afro katër muajsh. Për të prodhuar qelizat e kuqe, trupi ka nevojë për hekur, si edhe për vitaminë B12 dhe acid folik (një vitaminë tjetër e grupit të vitaminave B). Nëse ka mungesë të ndonjërës prej këtyre përbërësve, atëherë zhvillohet anemia.

Anemia e shkaktuar nga mungesa e hekurit është lloji më i shpeshtë i anemisë. Kjo lloj anemie është më e shprehur te femrat të cilat pinë duhan, hanë ushqim të paktë me hekur dhe kanë periudha të ashpra menstruale. Po ashtu kjo është një sëmundje që shfaqet shpesh te vegjetarianët, pasi mishi i kuq është burimi më i pasur i hekurit nga ushqimi.

Shkaktarët

Kjo lloj anemie më së shumti shkaktohet nga ushqimi i cili përmban pak hekur, veçanërisht te fëmijët. Te të rriturit te kjo lloj anemie ndikon humbja më shpejtë e gjakut se sa mund të zëvendësohet.

Foshnjat po ashtu mund të vuajë nga mungesa e hekurit, veçanërisht nëse lindin para kohe. Deponimi i hekurit zakonisht nuk kompletohet deri në fazat e fundit të shtatzënisë.

Trupi ka nevojë për më shumë hekur kur ndodhin ndarje të shumta qelizore, si në rastin shtatzënisë dhe gjatë periudhës së zhvillimit të shpejtë të fëmijërisë. Andaj, këto grupacione janë më të prira të zhvillojnë anemi.

Humbja e gjakut përmes ciklit të ashpër menstrual mund të harxhojë rezervat e hekurit, si pasojë edhe femrat rrezikojnë më shumë të preken nga anemia.

Sëmundjet të ndryshme të zorrëve si mostoleranca në luten dhe sëmundja e Crohn-it (inflamim i zorrës) mund ta reduktojë aftësinë për absorbimin e hekurit, dhe për pasojë të çojnë te ulja e numrit të qelizave të kuqe të gjakut.

Nëse shihni se nuk ka ndonjë arsye të fortë që ju të keni mungesë të hekurit në organizëm, por sërish vuani nga anemia, konsultohuni me mjekun. Edhe pse më e rrallë, disa dëmtime të tjera në zorrë si pasojë e kancerit ose polipeve (formacione gungash të vogla), dhe ulcera në stomak dhe zorrët e holla mund të shkaktojë anemi nga mungesa e hekurit. Humbja e gjakut përmes traktit digjestiv mund të jetë e lehtë sa të mos mund të vërehet vetë.

Simptomat e anemisë nga mungesa e hekurit

Nëse një person është i shëndetshëm në aspektet tjera, mund të jetë vështirë të dallohen shenjat e anemisë. Simptoma e parë është plogështia (lodhja) dhe rrahjet e shprehura të zemrës. Edhe frymëmarrjet e shkurtra dhe lëkura e zbehur janë shenja të anemisë. Nëse anemia është më e ashpër, ju mund të përjetoni anginë (dhimbje në gjoks), kokëdhmbje ose dhembje në këmbë.

Përveç këtyre simptomave të përgjithshme të anemisë, në raste të veçanta mungesa e hekurit mund të shkaktojë:

• ndjenjë djegieje në gjuhë

• thatësi në gojë dhe fyt

• dhimbje në këndet e gojës

• ndjenjë e ndryshuar e prekjes

• thonj të brishtë, në formë të lugës me vija vertikale dhe uri e pangopur për ushqime të caktuar a

• flokë të brishta

• përtypje e vështirësuar.

MUNGESA E VITAMINAVE

Anemia për shkak të mungesës së vitaminave

Anemia për shkak të mungesës së vitaminave vjen kur në organizëm ka mungesë të vitaminës B12 dhe acidit folik. Këto dy vitamina janë të patjetërsueshme për t’u ndërtuar qelizat e kuqe të gjakut. Në rastet e mungesës së këtyre vitaminave kemi këto lloje të anemive:

• Anemia megaloblastike – kur mungojnë edhe vitamina B12 edhe acidi folik.

• Anemia pernicioze – kur personat vuajnë nga absorbimi i dobët i vitaminës B12 në roganizëm si rezultat i sëmundjeve si ajo e Crohn-it, ndonjë infektim parazit të zorrëve, largimi kirurgjikal i ndonjë pjese të stomakut ose zorrëve, ose infektimi me HIV.

• Ushqimi i varfër – Të ushqer me pak ose aspak mish mund të shkaktojë mungesë të vitaminës B12, derisa pjekja e tepruar ose të ushqyerit e vetëm pak perimeve mund të shkaktojë mungesë të acidit folik

• Shkaktarët tjerë – Shtatzënia, disa barna të caktuara, abuzimi me alkool, sëmundjet e zorrëve.

PALCA KOCKORE DHE ANEMIA

Problemet me palcën e kockave dhe qelizën amë
Problemet me palcën e kockave dhe qelizën amë mund të pengojnë trupin të prodhojë sasi të mjaftueshme të qelizave të kuqe të gjakut. Disa qeliza amë të gjendura në palcën e kockave, zhvillohen në qeliza të kuqe të gjakut. Nëse këto qeliza amë janë të pakta, me të meta, ose zëvendëson nga qelizat tjera si qelizat metastatike të kancerit, mund të vijë deri te anemia. Në këtë kategori të anemive bëjnë pjesë:

• Anemia plastike. Kjo formë e rrallë, kërcënuese për jetën, shkaktohet nga rënia e aftësisë së palcës kockore për të prodhuar qeliza të gjakut. Kjo ndodh kur ka numër të ulët të qelive amë ose mungesë të tyre. Anemia plastike mund të jetë e trashëguar, ose mund të paraqitet pa ndonjë arsye të dukshme, ose mund të ndodhë kur palca kockore lëndohet nga barnat, rrezatimi, kemoterapia ose infeksioni.

• Talasemia ndodh kur qelizat e kuqe nuk mund të piqen dhe zhvillohen në mënyrë të rregullt. Talasemia është një sëmundje trashëguese e cila zakonisht paraqitet te njerëzit prejardhje Mediterane, Afrikane, Lindjes së Mesme dhe Azisë Juglindore. Kjo sëmundje varion nga e lehtë deri në kërcënuese për jetën. Versioni më i ashpër quhet anemia e Cooleyt.

• Ekspozimi ndaj plumbit është toksik për palcën e kockave dhe mund të çojë te një prodhim i paktë i qelizave të kuqe. Helmimi me këtë substancë ndodh te të rriturit nga puna e lidhur me këtë metal dhe te fëmijët të cilët hanë çips me ngjyrë, për shembull. Enët e llakosura në mënyrë të parregullt po ashtu mund ta përlyejnë ushqimin dhe lëngjet me plumb.

• Anemitë e lidhura me shkaktarët tjerë janë të pakta dhe zakonisht ndodhin kur ka vetëm pak hormone të nevojshme për prodhimin e qelizave të kuqe. Raste të tilla janë: sëmundja e avancuar e veshkave, hipotiroizimi, dhe sëmundjet tjera kronike si kanceri, infektimet dhe sëmundjet autoimune si lupusi ose artriti reumatoid.

Marre nga /Mjeku.Net/

0 Shares

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

*