ASemundjet A-ZH

Aciditeti

Teknikisht, urthi (thartira ose djegësira e lukthit) është simptoma që ndjeni kur acidi del nga lukthi dhe vjen lart. Ndryshe quhet refluksi i ezofagut. Refluksi është një irritim i ezofagut që shkaktohet nga acidi i lukthit. Kjo mund të shkaktojë një djegësirë të pakëndshme në pjesën e sipërme të abdomenit ose në pjesën e poshtme të eshtrave të gjoksit.

SHKAKTARET

Shkaktari themelor i kthimit të acidit në ezofag është sfinkteri i poshtëm, i cili nuk mbyllet si duhet.

Njëherësh janë edhe dy teprime që zakonisht i kontribuojnë këtij problemi: sasia e madhe e ushqimit në lukth (ushqyerja e tepruar) dhe presioni i tepërt në lukth (më së shpeshti nga mbipesha apo shtatzënia).

Ushqimet e caktuara e relaksojnë sfinkterin – si domatet, agrumet, hudhra, qepa, çokollata, kafja, alkooli, produktet me kafeinë dhe karamelet mente. Ushqimi i pasur me yndyra dhe vajra shpesh çon te djegësira. Ngjashëm veprojnë edhe disa barna.

Stresi dhe mungesa e gjumit mund ta shtojnë prodhimin e acidit dhe të shkaktojnë thartirë. Edhe duhanpirja që relakson (zbut) sfinkterin e poshtëm ezofageal dhe stimulon acidin e lukthit, është një kontribuues i madh i djegësirës.

GERD

Sëmundja e refluksit gastroezofageal

Nëse simptomat e refluksit acidik përsëriten më shumë se dy herë në javë, atëherë keni sëmundje të refluksit e njohur si GERD – sëmundja e refluksit gastroezofageal.

Një shkaktar i shpeshtë i GERD është anomalia e quajtur hernia hiatale. Kjo ndodh kur pjesa e sipërme e lukthi dhe sfinkteri lëvizin mbi diafragmë (muskuli që ndan barkun nga kafazi i kraharorit). Normalisht, diafragma ndihmon në mbajtjen e acidit në lukth. Mirëpo, nëse keni herni hiatale, acidi mund të kalojë lartë në ezofag dhe të shkaktojë simptomat e sëmundjes së refluksit acidik.

Faktorët tjerë të rrezikut për GERD janë:

  • Konsumim i sasive të mëdha të ushqimit ose shtrirja menjëherë pasi të keni ngrënë ushqim
  • Mbipesha
  • Shtrirja në shpinë ose përkulja pas konsumimit të sasisë së madhe të ushqimit
  • Ngrënia përpara gjumit
  • Konsumimi i ushqimeve të caktuara, si agrumet, domatet, çokollata, mente, hudhra, qepa, ushqimet djegëse ose yndyrore
  • Pijet, si alkooli, lëngjet e gazuara, kafja ose çaji
  • Duhanpirja
  • Shtatzënia
  • Barnat, si aspirina, ibuprofeni, relaksuesit muskulorë, barnat për shtypjen e gjakut.

SIMPTOMAT

Simptomat e refluksit acidik

Refluksi gastroezofagealshfaqet përmes disa simptomave (shenjave) dy prej të cilave janë simptomat më të shpeshta dhe të zakonshme, ndërsa të tjerat janë më të rralla dhe jo gjithnjë të pranishme.

Simptomat e shpeshta:

  • Djegësira: Dhimbje djegëse ose siklet që mund të lëvizë nga lukthi drejt abdomenit ose gjoksit, ose deri lartë në fyt
  • Regurgitimi: Ndjenjë e hidhur e acidit që vjen mbrapa në fyt ose në gojë.

Simptomat tjera:

  • Fryrje
  • Jashtëqitje me gjak ose njolla të zeza, apo vjellje me gjak
  • Gromësimë
  • Disfagi (ngushtim i ezofagut që krijon ndjesi se ushqimi ju ka mbetur në fyt)
  • Lemzë që nuk largohet
  • Nauze (mundim në lukth)
  • Humbje në peshë për arsye të panjohura
  • Gulçitje gjatë frymëmarrjes, kollë e thatë, ngjirje e zërit ose dhimbje kronike e fytit.

DIAGNOSTIKIMI

Si diagnostikohet refluksi gastroezofageal?
Nëse keni simptoma të refluksit acidik dy ose më shumë herë në javë, atëherë duhet ta vizitoni mjekun. Simptomat si djegësira janë thelbësore për diagnozën. Po ashtu, edhe në rast se ndryshimet në mënyrën jetësore, antacidet ose barnat që bllokojnë acidin në lukth ndihmojnë, atëherë kjo ndihmon në përcaktimin e diagnozës për këtë sëmundje. Për ta konfirmuar diagnozën, mjeku mund të rekomandojë edhe teste të tjera speciale.

TRAJTIMI

Trajtimi i refluksit acidik

Refluksi gastroezofageal mund të trajtohet në disa mënyra. Fillimisht ju duhet të provoni ndryshime në dietë dhe në mënyrën e të të jetuarit. Nëse kjo nuk ju ndihmon, atëherë mjeku do t’ju përshkruajë barna ose mund t’ju udhëzojë të bëni edhe ndërhyrje kirurgjike.

Ndryshimi në dietë dhe në mënyrën jetësore

Një nga mënyrat më efektive për të trajtimin e refluksit acidik është shmangia e ushqimeve dhe pijeve që nxisin shfaqjen e simptomave. Ndiqni këto këshilla për të minimizuar problemet me refluksin gastroezofageal:

  • Hani sasi më të vogël të ushqimit dhe më shpesh gjatë ditës
  • Ndaleni duhanin
  • Çojeni më lartë krevatin kah pjesa ku e mbani kokën
  • Mos hani së paku dy-tre orë para se të flini
  • Gjatë ditës provoni të flini në karrige, ose në pozitë më të ngritur
  • Mos vishni rroba të ngushta dhe mos e shtrëngoni shumë rripin
  • Nëse keni mbipeshë, nënshtrojuni ndonjë diete për largimin e kilogramëve
  • Po ashtu, pyeteni mjekun rreth barnave që mund ta nxisin refluksin (ndër to janë aspirina dhe ibuprofeni).

Trajtimi me medikamente

Në shumicën e rasteve ndryshimet në mënyrën e jetesës dhe medikamentet janë krejt çfarë ju duhet për të kontrolluar simptomat e sëmundjes së refluksit gastroezofageal.
Antacidet mund ta neutralizojnë acidin që ngjitet lart në ezofag nga lukthi juaj. Por ato mund të shkaktojnë barkqitje apo kapsllëk, sidomos nëse i përdorni shumë. Është më së miri të përdoren antacidet që përmbajnë edhe hidroksid magnezi edhe hidroksid alumini, në mënyrë që të shmangni efektet e padëshiruara.

Nëse antacidet nuk ndihmojnë, atëherë mund të provoni barna të tjera, për të cilët nevojitet përshkrimi mjekësor. Mjeku mund të sugjerojë më shumë se një lloj bari ose të provoni kombinimin e:

  • Barnave shkumuese (formojnë shtresë në lukth duke parandaluar refluksin)
  • H2-bllokuesit, zvogëlojnë prodhimin e acidit. Këtu bëjnë pjesë: cimetidina, famotidina, nizatidina, dhe ranitidina.
  • Inhibuesit e pompës protonike, po ashtu zvogëlojnë prodhimin e acidit. Në këtë grup bëjnë pjesë omeprazoli, lansoprazoli, pantoprazoli, rabeprazoli, dhe esomeprazoli.
  • Prokinetikët forcojnë sfinkterin, zbrazin më shpejtë lukthin dhe zvogëlojnë refluksin acidik. Në këtë grup janë domperidoni dhe metoclopramidi.

Mos i kombinoni barnat pa këshillën e mjekut!

Ndërhyrja kirurgjike

Nëse medikamentet nuk i largojnë simptomat dhe këto simptoma ndërhyjnë ashpër në jetën tuaj, atëherë mjeku mund të rekomandojë ndërhyrjen kirurgjike. Procedura kirurgjike është zgjedhja e fundit e trajtimit të refluksit gastroezofageal, ndërsa përfshin forcimin e sfinkterit të poshtëm të ezofagut apo riparimin e hernisë hiatale, në rast se ekziston.

0 Shares
Etiketat

Related Articles

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Check Also
Close
Back to top button
Close
Close