ASemundjet A-ZH

Anusi, Hemorroidet

Hemorroidet janë enë të gjakut të ënjtura dhe të inflamuara (pezmatuara) rreth anusit ose në pjesën e poshtme të rektumit. Rektumi është pjesa e fundit e zorrës së madhe e cila përfundon me anusin. Anusi është hapja (vrima) në fund të traktit digjestiv ku përmbajtja e zorrëve (jashtëqitja, fecesi) del nga trupi.

Hemorroidet mund të jenë të jashtme, kur ato janë të vendosura nën lëkurë rreth anusit, ose të brendshme, kur paraqiten në pjesën e poshtme të rektumit. Hemorroidet e brendshme mund të bien, ose të dalin jashtë, përmes anusit. Hemorroidet që dalin jashtë mund të tërhiqen sërish brenda rektumit vetvetiu. Hemorroidet më të rënda mund të mbeten jashtë gjithë kohës dhe kanë nevojë për trajtim.

Sa të shpeshta janë hemorroidet?

Rreth 75 për qind të njerëzit kanë hemorroide në një aspekt gjatë jetës së tyre. Hemorroidet janë më të zakonshme te të rriturit e moshës 45 deri në 65 vjeçare. Hemorroidet po ashtu janë shumë të shpeshta te gratë shtatzëna.

Shkallëzimi i hemorroideve

Siç përmendëm më lartë, hemorroidet së pari ndahen në të brendshëm dhe të jashtëm. Ato që janë nën vijën që ndan anusin nga zorra e trashë janë të jashtme dhe ato hemorroide që janë sipër kësaj vije quhen të brendshme. Hemorroidet mund të jenë edhe akute ose kronike.

Shumica e rasteve me hemorroide janë të brendshme dhe në varësi të asaj sa janë të zhvilluara (përkeqësuara) ndahen në katër shkallë.

Shkalla e parë: Në këtë rast hemorroidet qëndrojnë brenda dhe nuk shihen në mënyrë vizuale. Si shenjë ka vetëm hemorragji (pikon gjak). Zakonisht janë pa dhimbje, janë më të vogla se 1 cm dhe nuk preken me dorë.

Shkalla e dytë: Hemorroidet e kësaj shkalle dalin jashtë shtrëngimit kur i zbrazim zorrët dhe mund të preken me dorë, ndërsa kur ngrihet në këmbë futen vet brenda. Janë rreth 1-3 cm dhe nuk shkaktojnë dhimbje. Zakonisht shkaktojnë gjakderdhje.

Shkalla e tretë: Në këtë shkallë hemorroidet dalin shpesh jashtë anusit dhe shoqërohen shpesh me tromboza kështu që janë të dhimbshme dhe të ënjtura. Ato nuk futen brenda vetvetiu, por duhen të shtyhen me gisht.

Shkalla e katërt: Në këtë shkallë hemorroidet dalin edhe jashtë anusit qoftë kur shkojmë në tualet për zbrazje të zorrëve, po ashtu edhe kur qëndrohet gjatë ulur. Venat janë të fryra, nuk japim dhimbje. Ato shkaktojnë gjakderdhje, dhe nëse uleni ose i shtypni, japin dhimbje.

Çfarë i shkakton hemorroidet?

Hemorroidet shkaktohen si pasojë e pezmatimit (ënjtjes, fryrjes) të venave anale ose rektale. Janë disa faktorë të cilët mund ta shkaktojnë këtë ënjtje përfshirë:

  • Kapsllëku (konstipacioni) kronik ose barkqitja (diarreja) kronike
  • Shtrëngimi (dhënia zor) gjatë zbrazjes së zorrëve (jashtëqitjes)
  • Qëndrimi ulur në tualet për një kohë të gjatë
  • Mungesa e fibrave në ushqim.

Shkak tjetër i hemorroideve është dobësimi i indit lidhor në rektum dhe anus që ndodh me kalimin e viteve.

Shtatzënia mund të shkaktojë hemorroide duke rritur presionin në abdomen, që mund t’i zmadhojë venat në pjesën e poshtme të rektumit dhe në anus. Te shumica e femrave, hemorroidet e shkaktuara gjatë shtatzënisë largohen pas lindjes.

Simptoma më e shpeshtë e hemorroideve të brendshme është fecesi (jashtëqitja) me gjak të kuq, ose gjaku mund të mbetet në letër tualeti kur fshiheni, ose në vazon e tualetit pas zbrazjes së zorrëve. Hemorroidet e brendshme të cilat nuk dalin jashtë zakonisht nuk janë të dhimbshme. Hemorroidet e dala jashtë shpesh shkaktojnë dhimbje, mundim dhe të kruara në anus.

Brenda hemorroideve të jashtme (brenda venave të pezmatuara) mund të krijohen mpiksje të gjakut. Mpiksja në venë quhet trombozë. Hemorroidet e jashtme të trombozuara shkaktojnë dhimbje, ënjtjeje të dhimbshme ose ndonjë xhungë të fortë rreth anusit. Kur mpiksjet e gjakut treten, lëkura në ato vende mund të bëhet e irrituar ose të kruhet.

Tendosja (shtrëngimi), fërkimi ose pastrimi rreth anusit mund t’i përkeqësojnë simptomat, si të kruarat dhe irritimin. Hemorroidet nuk janë të rrezikshme ose kërcënuese për jetën. Simptomat zakonisht largohen brenda disa ditësh, ndërsa te disa njerëz me hemorroide simptomat kurrë nuk shfaqen.

Si diagnostikohen hemorroidet?

Mjeku do ta kontrollojë anusin dhe rektumin për të përcaktuar nëse një person ka hemorroide. Simptomat e hemorroideve janë të ngjashme me simptomat e problemeve të tjera anorektale, si plasaritjet, absceset, lythat dhe polipet.

Mjeku do të bëjë një kontroll fizik për të parë hemorroidet e dukshme. Një kontroll rektal digjital me anë të një gishti me dorëz dhe të lubrifikuar dhe një anoskopi – një gypi të zbrazët, të ndriçuar, mund të aplikohet për të parë rektumin.

Një vlerësim i plotë dhe një diagnozë e duhur nga një mjek është e rëndësishme kurdo që personi vëren gjakderdhje nga rektumi ose gjak në feces. Gjakderdhja mund të jetë simptomë e ndonjë sëmundje tjetër digjestive, përfshirë edhe kanceri kolorektal.

Kontrolle shtesë mund të duhet të bëhen për të përjashtuar shkaktarët tjerë të gjakderdhjes, veçanërisht te njerëzit mi moshën 40 vjeçare, si:

  • Kolonoskopia: Një gyp fleksibël, i ndriçuar, i quajtur kolonoskop, futet përmes anusit, rektumit dhe pjesës së sipërme të zorrës së madhe të quajtur kolon. Kolonoskopi transmeton pamje nga brenda rektumit dhe gjithë kolonit.
  • Sigmoidoskopia: Kjo procedurë është e ngjashme me kolonoskopinë, por përdor një gyp më të vogël të quajtur sigmoidoskop dhe transmeton pamje nga rektumi dhe koloni sigmoid – pjesa e poshtme e kolonit që zbrazet në rektum.
  • Rrezet X me klizma bariumi: Një material kontrasti i quajtur barium futet në kolon për ta bërë kolonin më të pashën në rrezet X.
  • Trajtimi shtëpiakNdryshimet e thjeshta në mënyrën e jetës shpesh reduktojnë ënjtjet e hemorroideve dhe lehtësojnë simptomat. Të ngrënit ushqim të pasur me fibra mund ta bëjë fecesin më të lehtë për të kaluar, duke zvogëluar presionin në hemorroidet e shkaktuara nga shtrëngimi.Fibrat janë substanca të cilat gjenden në bimë. Trupi i njeriut nuk mund t’i tretë fibrat, por fibrat ndihmojnë tretjen dhe parandalojnë konstipacionin. Burime të mira të fibrave janë frutat, perimet, dhe drithërat e plota. Mjekët zakonisht këshillojnë që femrat të konsumojnë 25 gramë fibra në ditë, derisa meshkujt 38 gramë fibra.Ndryshimet tjera të cilat mund të ndihmojnë lehtësimin e simptomave të hemorroideve përshijnë:
  • Pirja e gjashtë deri në dhjetë gota uji ose lëngjeve tjera joalkoolike (dy litra) çdo ditë
  • Banjë me ujë të ngrohtë (qëndrimi në një legen me ujë të ngrohtë) për 10 minuta disa herë në ditë
  • Stërvitje për të parandaluar konstipacionin
  • Të mos shtrëngoheni (t’i jepni zor) gjatë zbrazjes së zorrëve.
  • Disa kremra dhe supozitorë (barna që futen në anus) që mund të merren pa recetë të mjekut në barnatore mund të lehtësojnë dhimbjet dhe të kruarat e hemorroideve përkohësisht. Këto trajtime duhet të përdoren vetëm për një kohë të shkurtër pasi përdorimi afatgjatë i tyre mund ta dëmtojë lëkurën.Trajtimi mjekësorNëse trajtimi në shtëpi nuk i lehtëson simptomat, trajtimi mjekësor mund të jetë i patjetërsueshëm. Trajtimet mund të aplikohen në zyrën e mjekut ose në spital. Trajtimet ambulatore për hemorroidet e brendshme përfshijnë:
  • Lidhje me rrip gome – Mjeku vendos një rrip gome rreth bazës së hemorroideve. Ky rrip pengon qarkullimin duke bërë që hemorroidet të tkurren. Kjo procedurë duhet të aplikohet vetëm nga mjeku.
  • Skleroterapia – Mjeku injekton një lëndë kimike në enën e gjakut për të tkurrur hemorroidet.
  • Koagulimi infrared. Mjeku përdor nxehtësi për të tkurrur indin e hemorroideve.
  • Hemorroidet e jashtme ose të brendshme të cilat nuk reagojnë ndaj trajtimeve të tjera mund të largohen me anë të operacionit kirurgjik.
0 Shares
Etiketat

Related Articles

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Check Also
Close
Back to top button
Close
Close