CSemundjet A-ZH

C Hepatiti

ÇFARË ËSHTË HEPATITI C?
Hepatiti C është një sëmundje e mëlçisë. Fjala hepatit do të thonë inflamacion (pezmatim) i mëlçisë. Inflamacioni është një ënjtje e dhimbshme, e skuqur, e cila vjen si rezultat i ndonjë dëmtimi ose infektimi në organizëm. Inflamacioni mund të bëjë që organet të mos funksionojnë si duhet.

NJOHURI BAZIKE

Çfarë është mëlçia

Mëlçia është një organ i cili bën shumë gjëra të rëndësishme. Ajo kryen këto funksione:

  • Largon lëndët e dëmshme nga qarkullimi i gjakut
  • Lufton infeksionet
  • Ndihmon tretjen e ushqimit
  • Akumulon dhe ruan lëndët ushqyese dhe vitaminat
  • Akumulon energjinë

Askush nuk mund të jetojë pa mëlçi.

Çfarë e shkakton hepatitin C?

Hepatitin C shkaktohet nga virusi i hepatitit C. Viruset janë mikroorganizma të cilat mund të shkaktojnë sëmundje të ndryshme në organizëm. Për shembull, gripi shkaktohet nga një lloj i caktuar i virusit. Viruset mund të përcillen nga një njeri te tjetri.

Kush preket nga hepatiti C?

Çdokush mund të preket nga hepatiti C, por disa njerëz janë në rrezik më të lartë. Këtu përfshihen:

  • Njerëzit që janë të lindur nga një nënë që vuan nga hepatiti C
  • Njerëzit të cilët kanë pasur më shumë se një partner seksual në 6 muajt e fundit ose kanë histori të sëmundjeve seksualisht të transmetueshme
  • Njerëzit të cilët kanë pasur transfuzion të gjakut ose transplantim organesh para vitit 1992
  • Njerëzit me sëmundjen e hemofilisë të cilët kanë marrë produkte të gjakut para vitit 1987
  • Njerëzit të cilët kanë përdorur substanca ilegale përmes injektimit.

Si mund të merret hepatiti C?

Ju mund ta merrni hepatitin C përmes kontaktit me gjakun e ndonjë personi të infektuar. Ju mund të prekeni nga hepatiti edhe:

  • Nëse jeni lindur nga nëna me hepatit C;
  • Keni pasur seks me person të infektuar;
  • Keni bërë tatuazh ose keni vendosur pirsing me pajisje të pasterilizuar, e cila është përdorur nga ndonjë person i infektuar;
  • Rastësisht jeni shpuar me ndonjë gjilpërë, e cila më herët është përdorur nga ndonjë person i infektuar;
  • Keni përdorur briskun e rrojës ose brushën e dhëmbëve të ndonjë personi të infektuar;
  • Keni ndarë gjilpëra për injektim të substancave e ndonjë person të infektuar (shpesh ndodh te narkomanët).

Ju kurrë nuk mund ta merrni hepatitin C nga

  • Dhënia e dorës ndonjë personi të infektuar
  • Përqafimi i ndonjë personi të infektuar
  • Qëndrimi afër ndonjë personi të infektuar. 

SIMPTOMAT

Cilat janë simptomat e hepatitit C?

Shumica e njerëzve nuk kanë simptoma derisa virusi të fillojë ta dëmtojë mëlçinë, që mund të duhet 10 ose më shumë vite që kjo të ndodhë. Të tjerët kanë një ose disa prej këtyre simptomave:

  • Zverdhje të syve dhe lëkurës, të quajtur verdhëz
  • Periudhë më të gjatë kohore se zakonisht që gjakderdhja të ndalojë
  • Stomak ose nyja të ënjtura
  • Mavijosje e lehtë kur lëndoheni
  • Lodhje
  • Lukth i mundimshëm
  • Temperaturë
  • Mungesë apetiti
  • Diarre
  • Jashtëqitje me ngjyrë të verdhë të çelë
  • Urinë me ngjyrë të verdhë të mbyllur.

Çfarë është hepatiti C kronik?

Hepatiti C është kronik kur trupi nuk mund të çlirohet nga virusi i hepatitit C. Edhe pse disa njerëz e eliminojnë virusin nga organizmi brenda disa muajsh, shumica e infeksioneve me hepatit C bëhet kronike. Pa trajtim, hepatiti C kronik mund të shkaktojë prishje të mëlçisë, të quajtur cirrozë; kancer të mëlçisë; dhe insuficiencë të mëlçisë (pamjaftueshmëri; mëlçia nuk arrin ta kryejë punën e saj).

Simptomat e cirrozës kronike janë:

  • Zverdhje të syve dhe lëkurës, të quajtur verdhës
  • Periudhë më të gjatë kohore se zakonisht që gjakderdhja të ndalojë
  • Stomak ose nyja të ënjtura
  • Lodhje
  • Plogështi
  • Mungesë apetiti
  • Rënie në peshë
  • Enë gjaku në formë të merimange, të quajtur angioma merimangë, të cilat zhvillohen në lëkurë. 

DIAGNOSTIKIMI DHE TRAJTIMI

Si diagnostikohet hepatiti C?

Hepatiti C diagnostikohet përmes analizës së gjakut, që po ashtu mund të tregojë nëse ju keni hepatit C kronik ose ndonjë lloj tjetër të hepatitit. Mjeku juaj mund t’ju këshillojë të bëni biopsi të mëlçisë nëse dyshohet për hepatit B. Biopsia e mëlçisë është një test për të parë nëse është e dëmtuar mëlçia dhe nëse po çfarë lloj dëmtimi. Mjeku përdor një gjilpërë për të larguar një pjesë të vogël të mëlçisë, të cilën më pastaj e shikon nën mikroskop.

Si trajtohet hepatiti C?

Hepatiti C nuk trajtohet përderisa ai nuk bëhet kronik. Hepatiti C kronik trajtohet me barna të cilat pengojë ose ndalojnë virusin nga dëmtimi i mëlçisë.

Barnat për trajtimin e hepatitit C

Hepatiti C më së shumi trajtohet me barna që përmbajnë substancat aktive peginterferon dhe ribavirin, të cilat sulmojnë virusin e hepatitit C. Peginterferoni merret çdo javë përmes injektimit dhe ribavirin merret përmes gojës. Trajtimi zgjat 24 deri në 48 javë.

Transplantimi i mëlçisë

Transplantimi i mëlçisë mund të jetë i patjetërsueshëm nëse hepatiti kronik shkakton insuficiencë hepatite (mëlçia nuk arrin ta kryejë me sukses punën e saj). Ndërhyrja e transplantimit të mëlçisë zëvendëson mëlçinë e dështuar me një mëlçi të shëndetshme nga ndonjë dhurues. Trajtimi me barna duhet të vazhdojë, pasi hepatiti C zakonisht kthehet pas ndërhyrjes.

PARANDALIMI

Si të shmangni prekjen nga hepatiti C?

Ju mund ta mbroni veten dhe të tjerët nga hepatiti C nëse:

  • Nuk ndani gjilpëra
  • Mbani dorëza nëse duhet të prekni gjakun e ndonjë personi tjetër
  • Përdorni prezervativë gjatë marrëdhënieve seksuale
  • Nuk huazoni nga të tjerët brushën e dhëmbëve, briskun e rrojës, ose diçka tjetër që mund të ketë gjak në të
  • Sigurohuni që çdo tatuazh ose pirsing që vendosni në trup të kryhet me mjete sterile
  • Nuk dhuroni gjak nëse keni hepatitin C.

Çfarë të bëni nëse dyshoni se jeni ekspozuar ndaj hepatiti C?

Vizitoni mjekun tuaj dhe testohuni nëse jeni në rrezik të lartë për t’u prekur nga hepatiti C ose nëse mendoni se jeni ekspozuar ndaj virusit të hepatiti C. Shumë njerëz nuk e dinë se janë të infektuar. Diagnostikimi dhe trajtimi i hershëm mund të ndihmojë parandalimin e dëmtimit të mëlçisë.

Çfarë duhet të mbani mend?

  • Hepatiti C është sëmundje e mëlçisë që shkaktohet nga virusi i hepatitit C.
  • Çdokush mund të preket nga hepatiti C, por disa njerëz janë në rrezik më të shtuar.
  • Ju mund ta merrni hepatitin C përmes kontaktit me gjakun e një personi të infektuar.
  • Hepatiti C është kronik kur organizmi nuk mund të çlirohet nga virusi i hepatitit C.
  • Dëmtimi i mëlçisë mund të kërkojë 10 ose më shumë vite që të ndodhë dhe shpesh është shenja e parë e hepatiti C.
  • Testohuni nëse jeni në rrezik të rritur ose mendoni se mund të keni qenë të ekspozuar ndaj virusit të hepatiti C. Shumë njerëz nuk e dinë se janë të infektuar.
  • Hepatiti C kronik trajtohet me barna të cilat pengojnë ose ndalojnë virusin ta dëmtojë mëlçinë.
0 Shares
Etiketat

Related Articles

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Check Also
Close
Back to top button
Close
Close